Arrestimi i bujshëm, Elsa Lila rrëfehet për herë të parë: 7 policë 'përdhunuan' shtëpinë time, eksperiencë kafshërore...

Në Mars të vitit të shkuar Elsa Lila u arrestua pasi dyshohej për përfshirjen në një organizatë kriminale, por pas hetimeve dhe provave këngëtarja u shpall e pafajshme dhe u lirua nga të gjitha akuzat. Ditën e sotme, në një intervistë ekskluzive për “Zë me Mirën” me Mira Kazhanin, Elsa ka folur për herë të parë për këtë ngjarje që asokohe bëri bujë të madhe.
"Atë mëngjes të tmerrshëm, 16 mars 2022 ndërkohë që unë flija paqësisht në orën 5 të mëngjesit, flija së bashku me vajzën time përqafuar, më paraqiten në shtëpi 7 policë të armatosur deri në dhëmbë. Përdhunojnë shtëpinë time deri në detaje dhe gjejnë vetëm libra, vepra arti, instrumente muzikore dhe lodra fëmijësh. Më shihnin si të çuditur, sepse kërkonin diçka në shtëpinë time që nuk ekzistonte dhe unë i pyesja vazhdimisht, u thoja: “Çfarë po kërkoni në radhë të parë nga unë dhe çfarë po kërkoni këtu”? “Këtu nuk ka asgjë”! Një proces verbal ku rezultonin të sekuestruar vetëm celulari im dhe iPad-i i vajzës time. Çdo gjë ishte absurde. Pra nuk gjendet asgjë në shtëpinë time. Nuk gjendet asgjë në telefonin tim. Nuk gjendet asgjë përsa i përket figurës time. Nuk kishte asgjë në lidhje me figurën time, por përsëri ata duhet të ekzekutonin urdhrin për të më çuar atje ku më çuan", ka treguar Elsa.
E pyetur se si ka mbijetuar dy muaj në izolim, ajo ka zbuluar se po shkruan një libër ku do i tregojë të gjitha me detaje: Nuk dua të flas për dy javët e izolimit, sepse ka qenë një eksperiencë gati kafshërore, jo njerëzore. Po mundohem të përmbledh gjithë këto kujtime dhe histori në një libër. Po shkruaj një libër dhe do t`i tregoj më në mënyrë të detajuar në këtë libër kur të jetë…
Këngëtarja ka vijuar duke thënë se ajo thoshte vazhdimisht që ishte e pafajshme, që ishte një artiste e jo kriminele.
Komunikimi i parë! Kisha një refren që ishte: “Jam e pafajshme”! Nuk kam rreshtur së thëni këtë gjë. “Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme”! “Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme, nuk kam bërë asgjë. Përse jam këtu”? Do të ta shpjegojmë kur të vijë avokati yt! Unë nuk kisha asnjë avokat. Jam futur atje brenda pa avokat, sepse kurrë në jetën time nuk më është dashur një avokat për jetën që kam bërë. Nuk kam pasur nevojë. Avokatin e kam takuar pas tre javëve. Është një rast i rrallë, sepse zakonisht më tregojnë se kur ndodhin këto gjëra, avokati ka të drejtë të shkojë të takojë klientin e tij menjëherë. Unë e kam takuar pas 3 javëve, e para sepse nuk kisha një avokat dhe deri sa u gjet nga miqtë e mi dhe nga familja ime të cilët ishin jashtë këtij lloj ambienti dhe ka qenë e vështirë dhe për ta që të gjenin dikë të ndershëm që të më ndihmonte. Pra refreni im ishte: “Jam e pafajshme! Jam e pafajshme”! Dhe më pas u thashë të futeshin në “Google” dhe të shikonin kush unë isha dhe çfarë dija të bëja dhe cila jam realisht. Jam një artiste nuk jam një kriminele! “Ju lutem, - iu thashë, - shkoni dhe lexoni mbi mua, dëgjoni zërin tim. A mundet një njeri që transmeton atë që transmeton me emocionet e saj, njëkohësisht t`i bëjë dëm shoqërisë? Të jetë një kriminele?” Nuk mund të qëndrojnë të dyja figurat bashkë sepse është e pamundur të qëndrojnë të dyja. E bukura dhe e shëmtuara në të njëjtin trup nuk mund të bashkëjetojnë dhe shumë shpejt e kuptuan të gjithë. Gardianet mbasi kishin parë se cila unë isha në ditët në vijim ndryshuan totalisht sjellje me mua. Bashkëbisedonim në mënyrë ”normale”, jo si një superior me një qenie inferiore. Mundoheshin të më ndihmonin, të më ruanin nga individë të rrezikshëm.